nehatbe
  *Muaji i agjerimit*
 
"Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe mëshirë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Krijuesi prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona të liga. Më i lartësuari është Allahu, që agjërimin na e ka bërë obligim dhe përmes tij të synojmë devocionin (takvallëkun). Kë e udhëzon Allahu, s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një, dhe dëshmoj se Muhamedi alejhi selam  është rob dhe i Dërguar i Tij.

Të dashur vëllezër besimtarë!

Është fat i madh të takohemi përsëri me muajin e bekuar, me muajin e mëshirës, të bereqetit dhe të sakrificës, me muajin e faljeve të mëkateve, me muajin në të cilin zbritën librat e shenjtë, Tevrati, Ingjili, Zeburi, fletushkat e tjera si dhe Kurani Famëmadh.1

Ky është muaji në të cilin u zhvillua lufta e Bedrit, muaji në të cilin ndërruan jetë xhaxhai i Muhamedit alejhi selam dhe gruaja e tij, Hadixheja, Allahu qoftë i kënaqur me të. Gjithashtu edhe Meka u çlirua gjatë muajit të agjërimit. Sa të lumtur jemi që përsëri arritëm të takohemi me muajin e veçantë, të cilin Allahu Fuqiplotë e veçoi me Natën e Kadrit, muaj që nuk ka të krahasuar me asnjë muaj nga muajt e vitit.

Vërtet që Allahu i ka falur ata të cilët malli i ka marrë për të bërë vepra të mira dhe mjerë për ata që kanë mbetur në mëshirën e fatit, në detin e injorancës, në sofrën e mëkateve. Ejani vëllezër ta falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm për begatitë që na ka dhuruar, për muajin e bekuar që na e ka bërë të mundur për ta takuar; ta kujtojmë në të Krijuesin e të gjitha krijesave, Mëshiruesin e të gjitha botëve, atyre që i shohim dhe nuk i shohim. Le të përfitojmë nga ky muaj atë që kemi lënë mangët në vitet e kaluara, të veprojmë vepra të mira, gjithnjë me qëllime të mira dhe të shfrytëzojmë rastin që gjatë këtij muaji të japim maksimumin si në vepra edhe në punë të mira, të bashkohemi, të vizitojmë të afërmit, të përgatisim ushqime për të varfrit, t’i ndihmojmë bonjakët, t’i vizitojmë invalidët e luftës, t’i pastrojmë zemrat tona nga ndryshku i xhelozisë, inatit dhe koprracisë, t’i falim ata që na kanë dëmtuar, t’i ftojmë të varfrit në iftare, t’i mëshirojmë të moshuarit, t’i edukojmë të vegjlit. Ejani vëllezër të lexojmë Kuranin, të falim namazet së bashku me xhemat. Ejani të nderuar besimtarë ta falënderojmë të Gjithëmëshirshmin për këtë muaj agjërimi si dhe për begatitë e tij.

 
Vëlla besimtar!

Përpiqu që gjatë këtij muaji t’i kryesh obligimet, e veçmas agjërimin, mundohu që t’i japësh hakun aq sa ke mundësi. Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar në suren el-Bekareh, ku thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” 2

Vëllezër besimtarë, kjo është mirësia që Allahu dëshiron për mbarë njerëzimin. Ramazani na stërvit që gjithherë të veprojmë mirë; na mëson se si të tregohemi dashamirës ndaj të tjerëve dhe njëherazi na kujton fushatën e rritjes së imanit dhe forcon anën shpirtërore të njeriut. Pra, ky është qëllimi kryesor i agjërimit. Ne nuk agjërojmë thjesht që t’i rezistojmë etjes dhe urisë. Muaji i agjërimit nuk është vetëm që të falim namazin e teravive apo namazin e natës. Ajo që kërkohet nga ne është se në çdo adhurim që kryejmë përgjatë këtij muaji duhet shikuar përtej anës së jashtme të kryerjes së ritualeve. Po ashtu, duhet kushtuar kujdes të veçantë se adhurimet e kryera duhet të na bëjnë muslimanë të gjallë, dinamikë, muslimanë me plot kuptimin e fjalës; muslimanë me plot iman; të jemi shembullorë dhe individë energjikë. Agjërimi nuk duhet kuptuar si një muaj i vetëm për ta adhuruar Allahun, siç ndodh me shumë muslimanë, të cilët gjatë muajit të agjërimit bëjnë vepra të mira dhe me të kaluar ky muaj kthehen përsëri në mëkate dhe vazhdojnë jetën e tyre të mëparshme në mëkate dhe armiqësi.  Agjërimi posedon qëllimet e veta. Muslimani duhet ta kuptojë se agjërimi forcon besimin dhe ndërton frikërespektin ndaj Krijuesit; ndërton karakterin dhe sjell forcë dhe fuqi për t’i anashkaluar sfidat të cilat e përcjellin muslimanin gjatë jetës së tij.

Vëllezër besimtarë!

Ejani ta shfrytëzojmë çdo orë të këtij muaji, ta forcojmë besimin tonë, t’i kryejmë obligimet ashtu siç ka porositur Allahu i Madhërishëm. Të fillojmë me veten tonë, t’i kushtojmë rëndësi anës së jashtme në përgjithësi dhe asaj shpirtërore në veçanti. Të ruhemi nga çdo e metë, të kemi kujdes se si te veprojmë me gjymtyrët tona, ku shkojmë, çfarë hamë, çfarë flasim, dëgjojmë, shikojmë, shkelim, të gjitha këto hynë në llogari Ditën e Gjykimit. Ajo që na duhet gjatë këtij muaji është ndryshimi i vetes sonë e më pas t’i këshillojmë të tjerët.

Fillimisht, jemi të obliguar që para se të fillojmë një punë, të posedojmë nijetin e pastër; të jemi të sinqertë në atë që themi dhe veprojmë. Në këtë muaj të mëshirës le të nxitojmë drejt kryerjes së adhurimeve me sinqeritet. T’i kryejmë të gjitha për hir të Allahut e jo për qëllime fitimprurëse apo për t’u shtirë si besimtarë. Vetëm me sinqeritet mund të arrihet suksesi, andaj me zemër të çiltër dhe qëllim të pastër jemi të obliguar që të veprojmë vetëm vepra të mira. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. në suren El-Bejineh thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” 3

Gjatë këtij muaji duhet të luftojmë që gjithsesi në mendjet tona të zërë vend morali dhe sjelljet e mira. Ta marrim si shembull Pejgamberin e fundit, Muhamedin alejhi selam, i cili gjithmonë ishte dhe mbeti shembull për gjeneratat që erdhën pas tij. Ai na tregoi se si duhet të jetë morali i muslimanit. Kjo është diçka e pamohueshme dhe nuk ka pikë dyshimi në të. A ka diçka më të mirë në këtë botë kur të lavdëron Krijuesi i Gjithësisë? Vërtet që po mos të ishte shembull për të mirë, Allahu nuk do ta kishte përmendur këtë lëvdatë mbi moralin e Muhamedit alejhi selam. Ai në librin e Tij famëlartë thotë: “Juve ju erdhi i Dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.”4

A keni menduar ndonjëherë përse Islami na nxit të mobilizohemi me moral të mirë? A kemi pyetur veten ndonjëherë se çfarë do të kishte ndodhur me atë person i cili nuk posedon moral dhe karakter të mirë? Si do të ishte halli i tij? Çfarë do të flitej për të? Jam i bindur se morali dhe karakteri i mirë janë tejet të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Pa dyshim se askush nuk do të pajtohej të jetonte dhe të ndërtonte jetën në një vend apo shoqëri të degjeneruar.

Vëllezër besimtarë, tashmë e kuptuam se çfarë vlere ka morali, prandaj themi se feja islame është fe që njeriut i sjell të mira, bereqet dhe lumturi në jetë. Le të ndërtojmë një shoqëri me baza të shëndosha, duke filluar themelet e saj në këtë muaj të rëndësishëm.

Si ta shtojmë besimin, devotshmërinë dhe sjelljet e mira?


Për ta shtuar besimin dhe devotshmërinë si dhe për t’u pajisur me moral të mirë duhet që fillimisht të shtojmë  njohuritë, njohuri të cilat do t’i sjellin dobi mbarë njerëzimit. Feja islame si fe universale, që nga fillet e saj, ka porositur që në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë dituri. Kur njeriu kërkon dituri, arrin grada të larta në këtë dhe botën tjetër. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “…..Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri….”5

Pasi gjendemi në muajin e agjërimit dhe leximi i Kuranit është i domosdoshëm, të mos harrojmë se përveç leximit, rëndësi i duhet kushtuar  edhe kuptimit të ajeteve dhe pas arritjes së njohurive, t’i mësojmë të tjerët, ta shpërndajmë atë që kemi mësuar, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë suksesin e garantuar dhe me këtë gjest do të jemi më afër Kuranit.
Të mos harrojmë se leximi i Kuranit ka qenë lindës i ideve, zbulimeve dhe inovacioneve të ndryshme për njerëzimin. Kurani është libër i shenjtë dhe nga ai mund të mësojmë çdo ditë gjëra të reja, aq më shumë që të lexojmë, aq më tepër do të kuptojmë kuptimet dhe komentimet e tij. Kurani nuk duhet lexuar siç lexohet gazeta, ai duhet të lexohet, të meditohet për të dhe kuptimet e tij të studiohen. E, nëse veprojmë kështu, pa dyshim se agjërimi, Kurani, namazi, zekati, do të formojnë individin dhe do të vërehet se asnjëra pa tjetrën nuk mund të jetojnë. Po qe se zbatojmë Kuranin dhe veprojmë sipas tij, pa dyshim se do të ketë avancim në jetën tonë dhe kurrë nuk do të mbetemi prapa, prandaj për të zbatuar obligimet ashtu siç i ka hije muslimanit kërkohet edhe durimi, pasi durimi na shpie deri te arritja e suksesit.

Vëllezër besimtarë!

Së fundi, këshilloj veten e më pas ata të cilët e lexojnë këtë temë se elementi kryesor gjatë këtij muaji është durimi; vetëm duke bërë sabër sigurojmë edhe shpërblimet mbi kryerjen e adhurimeve (ibadeteve) tona. Po ashtu, të përpiqemi maksimalisht që gjatë këtij muaji ta përmirësojmë veten tonë, familjen, të afërmit; të përfitojmë nga të mirat që sjell ky muaj. Të mobilizohemi me moral të mirë, pa marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe rrethanat. Të jemi të durueshëm. Ta vëzhgojmë anën e jashtme dhe atë të brendshme. Të falemi dhe të punojmë ashtu siç ka porositur Krijuesi i kësaj Gjithësie.

Në fund, lusim Allahun e Plotfuqishëm të na i falë mëkatet tona dhe të na bëjë prej vepërmirëve, durimtarëve dhe të jetë i kënaqur me agjërimin dhe ibadetet tona! Amin!


Mr. Fehim Dragusha
22.8.2008

1 Bazuar në librin The Islamiv View of Jesus (Peace be upon him) Isa alejhi selam nga këndvështrimi islam, Iben Kethir, përk. Fehim Dragusha.  
2 El-Bekare (2), ajeti 183.
3 El-Bejineh (98), ajeti 5.
4 Et-Teubeh (9), ajeti 128.
5 El-Muxhadele (58), ajeti 11.
 
  Today, there have been 93 visitors (122 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free