nehatbe
  *Mire se erdhe ramazan*
 

Mirë se erdhe Ramazan

Përgëzimi dhe urimi gjatë ardhjes së Muajit Ramazan

 

Pa dyshim se njerëzit zakonisht urojnë dhe përgëzojnë gjërat e mira që u ndodhin njerëzve në jetë. Ata u përgëzojnë lindjen e fëmijës, hyrjen në punë, dasmat, tubimet miqësore, etj, mirëpo ndoshta të paktë janë ata që ua përgëzojnë njëri tjetrit ardhjen e këtij muaji të bekuar, muajit Ramazan.

 

Nëse analizojmë gjendjen e muslimanëve të hershëm duke filluar që nga koha e Muhamedit, salAllahu alejhi ue selem, do të vërejmë se ata ua kanë përgëzuar njëri tjetrit ardhjen e këtij muajit të bekuar.

Ebu Hurejre, tregon se Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë:

“U ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët e inatosur. Allahu në këtë muaj ka një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë”. (Nesaiu, sahih).

Ky hadith i lartpërmendur na mëson se duhet përgëzuar dhe uruar muslimanët njëri tjetrit ardhjen e këtij muajit të bekuar dhe fitimprurës.

Ibn Rexhebi thotë: “Si ka mundësi mos të përgëzon besimtari me hapjen e dyerve të xhenetit?! Si ka mundësi mos të përgëzon mëkatari me mbylljen e dyerve të zjarrit?! Si ka mundësi njeriu i mençur mos të përgëzon për kohën, në të cilën prangosen djajtë?! Si ka mundësi që kjo kohë t’i përngjajë kohëve tjera?!”. (“Lataiful-Mearif”, fq. 279).

 

Publikim i gëzimit dhe lumturisë për ardhjen e këtij muajit të bekuar

 

Ashtu sikurse gëzohet njeriu në jetë për gjëra të mira që i ndodhin, aq më shumë duhet të gëzohet dhe ta publikon këtë gëzim, kur t’i ofrohet mundësia për adhurim dhe respekt ndal Allahut, subhanehu ve teala.

Kjo ndjenjë i ka kapluar të gjithë besimtarët e devotshëm që nga koha e muslimanëve të parë e deri më këto ditë.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Thuaj: "Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”. (Junus: 58).

Hilal b. Jesafi thotë: “Gëzohen për Islamin dhe Kur'anin”.

Ejfe’a Kila’iu, tregon: Kur i erdhi Omerit, radijallahu anhu, haraxhi (prehu i luftës) nga Iraku, doli me shërbëtorin e vet dhe filloi t'i numërojë devetë. Pas numërimit vërejti se ato janë më shumë në këtë vit e tha: elhamdulilah- e falënderojmë Zotin, kurse shërbëtori i tij tha: kjo është dhunti dhe mëshirë prej Allahut. Ia ktheu Omeri [radijallahu anhu]: Jo (po gabon), nuk është ky qëllimi nga ajeti: ““Thuaj: "Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”. (junus: 58). Sepse kjo është prej asaj që e grumbullojmë”. (Tefsiri i Ibn Ebi hatimit, 6/ 1960).

Kasimiu thotë: Dhuntia e Allahut është Kur'ani, kurse mëshira e Tij është Islami. Me ardhjen e këtyre dy gjërave madhështore gëzohuni, e jo me gjërat kalimtare dhe të pavlera të kësaj bote. Gëzimi me këto të mira gjigante është më i mirë se sa grumbullimi i pasurisë dhe epsheve, sepse grumbullimi i tyre nuk do të bëjë dobi e as që do të mbeten te ti përgjithmonë. Qëllimi i ajetit është: nëse duhet të gëzohen për ndonjë gjë, atëherë le të gëzohen për ardhjen e këtyre dy gjërave”. (“Tefsiri i Kasemiut”, 9/ 46).

 

Pastaj agjërimi i muajit të Ramazanit është një prej shtyllave të Islamit.

 

Ibën Rexhebi thotë: “Arritja e muajit të Ramazanit dhe agjërimi i tij është dhunti shumë e madhe për atë që ia mundëson Allahu i Lartësuar. Argument për këtë është hadithi që tregon për tre personat, prej të cilëve dy ranë shehidë, kurse i treti vdiq në shtratin e tij, pas tyre. Këtë të fundit e panë në ëndërr, se ua kishte kaluar. Atëherë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem] tha: “A nuk ka falur pas tyre kaq e kaq namaze, e ka takuar muajin e Ramazanit dhe ka agjëruar. Pasha Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, mes tyre ka dallim sikurse mes qiejve dhe tokës”. (Ahmedi, sahih).

Ai që mëshirohet në këtë muaj, ai është i mëshiruari, ai që privohet nga të mirat në këtë muaj, ai është i privuari, ai që nuk merr nozull nga këto ditë për ditën e kthimit, ai është i qortuari”. (“Letaiful-Mearif”, fq. 280).

 

Kush gëzohet me ardhjen e Ramazanit

 

Ata që gëzohen me ardhjen e muajit të Ramazanit janë dy lloj:

 

1- Njerëzit e adhurimeve dhe besimit;

Ata gëzohen me ardhjen e këtij muajit sepse në këtë muaj u hapen mundësitë për adhurime të llojllojshme dhe për shkak të shpërblimit që e ka përgatitur Allahu për ata që agjërojnë.

Allahu ka përgaditur shpërblime për:

a) Agjërimin:

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Ai që e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe shpresë (të shpërblimit), i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ibën Haxheri duke komentuar fjalën “me besim” thotë: “domethënë duke i besuar premtimit të Zotit për shpërblim, kurse “me shpresim” domethënë duke kërkuar shpërblimin, e jo për ndonjë far qëllimi tjetër, siç është syfaqësia, ose diç tjetër”. (“Fet’hul-Bari”, 4/ 251).

b) Namazin e teravisë.

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush fal namazin me besim dhe shpresë, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).

Imam Neveviu, rahimehullah, thotë: “qëllimi nga fjala “namaz” është namazi i teravisë”. (Sherh Sahihul-Muslim, 6/ 39).

c) Gjallërimin e natës së Kadrit.

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush e gjallëron natën e Kadrit me besim dhe shpresë, i falën mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).

Aisheja, radijallahu anha, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek të dhjetëshit të fundit të Ramazanit”. (Buhariu).

Imam Neveviu thotë: “Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem: “kërkoni natën e kadrit”, domethënë kujdesuni gjatë kërkimit dhe përpiquni në atë natë”. (Sherhu Sahihil-Muslim, 5/ 58).

d) Umren.

Ibën Abbasi, radijallahu anhuma, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, një gruas nga Ensarët i ka thënë: “Çka të pengon të kryesh haxhin me ne? Tha: kishim një deve me të cilën bartnim ujë, mirëpo atë e mori filani dhe djali i tij, d.m.th. burri dhe djali i saj, e na la vetëm një deve me të cilin bartim ujë. Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, i tha: “Kur të vjen muaji i Ramazanit, kryeje umren gjatë këtij muaji, sepse umreja gjatë këtij muajit është sikurse haxhxhi”. E në transmetimin tjetër qëndron: “Umreja gjatë Ramazanit vlen sa haxhxhi ose sa haxhxhi me mua”. (Buhariu).

Ibnul Arabi thotë: “Hadithi që flet për umren gjatë Ramazanit është i vërtetë dhe kjo është dhunti e madhe prej Allahut. Umreja arrin vlerën e haxhxhit nëse bëhet gjatë Ramazanit”. (Fethul-Bari, 3/ 604).

Kurse Imam Ibën Xhevziu thotë: “Ky hadith tregon se shpërblimi i veprës shtohet me shtimin e vlerës së kohës, ashtu sikurse shtohet me shtimin e pranisë së zemrës dhe sinqeritetit”. (Fethul-Bari, 3/ 604).

e) Leximin e Kur'anit.

Ibën Abbasi, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka qenë njeriu më bujar, por edhe më bujar ishte gjatë Ramazanit, kur takohej me Xhibrilin, alejhisselam. Atë e takonte secilën natë të Ramazanit, nga i cili e mësonte Kur'anin. Me të vërtetë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ishte më bujar se era (që sjell pllenimin). (Buhariu).

 

2- Njerëzit e shkujdesur, të argëtimit dhe mëkateve.

 

Ata gëzohen për llojllojshmërinë e ahengjeve dhe argëtimeve që bëhen gjatë muajit të Ramazanit, prej tyre:

- Ushqimet e llojllojshme të Ramazanit.

Me të cilat ushqime mbushin barkun, ngopen dhe e stërngarkojnë lukthin. Nga kjo gjë shumë pak njerëz shpëtojnë. Pa dyshim se kjo është në kundërshtim me urtësinë e agjërimit, i cili kërkon pakësim të ushqimit, që ndihmon në pastrimin dhe lartësimin e shpirtit. Pastaj mbushja e barkut me lloj-lloj ushqime të këndshme të pengon edhe gjatë faljes së namazit të teravisë.

Të vërtetën e ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, kur thotë: “Biri i Ademit nuk ka mbushur enë më të keqe se sa barkun e vet. I mjafton birit të Ademit disa kafshata për ta mbajtur gjallë shpirtin, e nëse e ka domosdo, atëherë një të tretën për ushqimin e tij, një të tretën për pijen dhe një të tretën për frymëmarrje”. (Tirmidhiu, sahih).

- Tubimet e ndryshme gjatë ramazanit dhe përcjellja e lloj-lloj serialeve.

Këto gjëra të fusin në harame, qofshin harame të syrit, të veshit ose të gjymtyrëve tjera. Përdorimi i gjymtyrëve tuaja në gjëra të ndaluara gjatë këtij muajit të bekuar, duke pasur parasysh vlerën e këtyre ditëve, me të vërtetë është një mëkat shumë i madh.

- Përzierja e mexhliseve, e grave dhe burrave nëpër vende të shumta, gjëra të cilat bëhen shkak për të rënë në mëkate edhe më të mëdha, siç është vetmimi me grua të huaj ose rënia në mëkatin e zinasë. Për këtë gjë përgjegjësi i parë dhe kryesor është kryefamiljari.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, thotë: “Secili prej jush është bari dhe secili do të jep llogari për tufën e tij. Imami është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij (xhematin). Burri është bari në shtëpinë e tij dhe është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është bari në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari në pasurinë e pronarit të vet dhe është përgjegjës për tufën e tij”. (Buhariu).

 

Çka shpresonte gjenerata e hershme e Islamit gjatë arritjes së muajit Ramazan

 

Mua’la b. Fadli tregon: “Ata i luteshin Allahut gjashtë muaj që të arrijnë muajin e Ramazanit, pastaj luteshin gjashtë muaj që t’i pranojë Allahu veprat e tyre që i kanë bërë gjatë këtij muajit”. (Lataiful-Mearif, fq. 280).

Jahja b. Kethiri thotë: “Prej lutjeve të tyre ishte edhe kjo: “Allahu ynë, më dorëzo gjer te muaji Ramadan, ma dorëzo muajin Ramadan dhe më mundëso ta dorëzoj këtë muaj me vepra të pranuara”. (Lataiful-Mearif, fq. 280).

 

Gabimet që ndodhin gjatë pritjes së muajit Ramazan

 

Gjatë kësaj pritje të këtij muajit të bekuar ndodhin disa gabime, disa prej tyre janë më të vogla e disa janë më të mëdha, prej tyre:

1- Kalimi i muajit Shaban në haje dhe pije, nga frika se në muajin Ramazan nuk do të ngihet duke ngrënë.

2- Mllefi nga ardhja e këtij muajit të bekuar.

Tregohet në histori se një njeri me emrin Reshid b. Sefih ka thurur poezi, ku mes tjerash ka thënë:

Më thërriti muaji i agjërimit, ah sikur mos të ishte ky muaj

Nuk do të agjëroja asnjë muaj deri në fund të kohës

Po të kisha mundësi ndaj ndonjë muajit

Do ta sulmoja me tërë forcën time këtë muaj.

E kaploi një sëmundje e madhe këtë njeri dhe vdiq para se ta arrijë muajin e ardhshëm të Ramazanit. (Lataiful-Mearif, fq. 276).

 

3- Vrapimi pas blerjes së ushqimeve për këtë muaj.

Xhabiri, radijallahu anhu, kaloi pranë Omerit, radijallahu anhu, e në dorë kishte një copë mishi, të cilën e kishte blerë me një dërhem. Omeri i tha: ç’është kjo? Tha: e bleva për një dërhem. I tha: A çdo herë që ke ëndje për ndonjë gjë do ta blesh. Mos u bën nga ata që i përmend ajeti: “E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, …”. (El-Ahkaf: 20). (Musannefi i Ibën Ebi Shejbes, 5/ 140).

Hyri Omeri, radijallahu anhu te djali i tij Abdullahi dhe te ai pa mish. I tha: çka është ky mish? Tha: mu kujtua të ha mish dhe e bleva. I tha: A çdo herë që ta ka ëndja ndonjë gjë, ti e ha. Mjafton të konsiderohet israf, të hash çdo gjë që ta ka ëndja”. (Zuhd, Ibn Ebi Asim, 1/ 123).

Disa njerëz nga selefi e shitën një robëreshë që e kishin. Kur erdhi muaji i Ramazanit, pronari i ri i saj bëhej gati për këtë muaj, kurse kjo i pyeti: çka jeni duke bërë? I thanë: bëhemi gati për Ramazan? I tha: Ju, a nuk agjëroni në ditët tjera përveç se gjatë Ramazanit?! Isha te disa njerëz që ata tërë kohën e kishin Ramazan. Më ktheni te ata”. (Letaiful-Mearif, fq. 278).





Comments on this page:
Comment posted by Davachiesy( posmentry-rx.com ), 07/19/2017 at 6:59pm (UTC):
Amoxicillin While I'M Pregnant <a href=http://femalecial.com>cialis</a> Propecia Es Bueno



Add comment to this page:
Your Name:
Your Email address:
Your website URL:
Your message:

 
  Today, there have been 85 visitors (624 hits) on this page!  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=