nehatbe
  *Duaja*
 

 

Duaja: Arma Më e fuqishme e Besimtarit.

Duatë (lutjet drejtuar Allahut) ndikojnë positivisht në   dryshimin   e mundësive, fatit dhe jetës tonë.

Njëherë Profeti yne (SAWS) has në   disa njerëz që vuanin nga një fatkeqësi, dhe thotë për ta: " Pse nuk kërkojnë mbrojtje nga Allahu?" Kjo pyetje e Profetit (saws), na drejtohet edhe ne Muslimanëve të kësaj kohe, aq më tepër, kur e dime fare mirë se në çfarë gjëndje jetojmë.

Është e vërtetë se gjatë gjithë kohës, ne, Muslimanët, asnjëherë nuk e kemi braktisur Duanë, dhe gjithnjë vazhdojmë ti drejtohemi Allahut (SWT ) me Dua. Por, mjerisht, për shumicën, koncepti dhe praktika në lidhje me Duanë, kanë ndryshuar rrënjësisht. Dhe shpesh herë Duaja   bie në nivelin e ritualit.

Të habit fakti, që zakonisht e përdorim Duanë vetëm në rast dëshpërimi të thellë, dhe kur të gjitha përpjekjet kanë dështuar. Por, edhe shpesh herë e nënçmojmë Duanë me vepra madje edhe me fjalë.

Por Muslimani i vërtetë e koncepton ndryshe Duanë. Duaja është me të vërtetë arma më e fuqishme e besimtarit. Duaja mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve dhe fatit, kur një gjë të tillë nuk mund ta bëjë vepra. Ajo ështe pjesa më e rëndësishme e adhurimit.

Me të besimtari qëndron larg dështimit, dhe pa të nuk mund të arrijë sukses. Duaja duhet të jetë mjeti i parë dhe i fundit për besimtarin përkrah planeve dhe veprave të tij.

Duaja është akt i një rëndësie të jashtëzakonshme, ajo është bashkëbisedimi ynë me Allahun, Krijuesin tone, të Plotfuqishmin. Ajo e ngre lart shpirtërisht dhe moralisht besimtarin, dhe si rrjedhojë gjen qetësinë shpirtërore. Ne i drejtohemi Allahut (SWT) sepse e dimë se vetëm Ai është në gjendje të ndryshojë gjendjen tonë, të na heqë vuajtjet, dhe të na ndihmojë në zgjidhjen e problemeve. Ndihemi të çliruar pasi i drejtohemi duke i qarë hallet dhe vështirësitë. Ndihemi të fuqishëm pasi kemi komunikuar me të Plotfuqishmin.

Në çdo vështirësi gjëja e parë dhe e fundit që kërkohet të bëjmë duhet të jetë Duaja, veç përpjekjeve dhe veprave. I lutemi Allahut (SWT) që të na ndihmojë në kapërcimin e vështirësive; të na ndihmojë që të jemi të qëndrueshëm në rrugën e tij; që të kemi sukses etj.

Duaja është thelbi i adhurimit. Ai person i cili bën Dua vazhdimisht, konfirmon besimin e tij në Tauhid (Monoteizmin Islam) dhe vërteton mohimin e tij të   çdo besimi tjetër të kotë (që mund të jetë karakteristik për politeizmin, fetishizmin,   totemizmin etj.)

Sa herë që bën Dua besimtarit i rritet besimi në Allahun (SWT). Besimtari rregullisht duhet ti lutet dhe përulet Allahut (SWT). Ai person i cili sinqerisht bën Dua e kupton fare mirë marrëdhënien e tij me Krijuesin Fuqiplotë, dhe përpiqet vazhdimisht për ta vërtetuar atë me vepra. Kjo është esenca e adhurimit! Për më tepër, ai person nuk bëhet arrogant apo mendjemadh, rezultat logjik i sinqeritetit në adhurim.

Pra, Duaja është dhe mbetet arma më e fuqishme që posedojmë për të përballuar vështirësitë e jetës, por edhe në Xhihad. Gjatë betejës se Bedrit, Profeti (SAWS) e kaloi   natën e fundit   para betejës duke iu lutur Allahut (SWT) për ndihmë kundër armikut, i cili ishte shumë më i madh në numër.

Salahuddin El Ejjubi ishte i zënë ditë e natë gjatë betejave të famshme kundër kryqëzatave. Ditet i kalonte në luftë (Xhihad), dhe netëve i lutej Allahut (SWT) për ndihmë.

Duaja duhet të jetë vazhdimisht në qendër te vëmendjes tonë, në çdo çështje qoftë e madhe apo e vogël, duhet të jemi edhe këmbëngulës në Dua. Si rrjedhojë, arrijmë   të përforcojmë marrëdhëniet tona me Allahun (SWT). Në të njëtën kohë, Duaja duhet të shoqërohet me shpresën dhe bindjen se do të na pranohet dhe përgjigjet nga Allahu Fuqiplote. Kujtojmë Hadithin [Thënjen e Profetit (SAWS)], që thotë: "S'ka gjë më të dashur për Allahun (SWT) se sa një rob i cili i drejtohet Atij me Dua !". Dhe në të kundërt, mungesa e përqëndrimit dhe bindjes gjate Duasë, faljes, etj. e bën të paefektshëm atë.

Së fundi, e përsërisim edhe një herë se duhet të bëjmë Dua në çdo kohë, dhe jo vetëm kur jemi në gjendje të vështire. Profeti (SAWS) thotë: "Kush dëshiron që Allahu ti përgjigjet lutjeve të tij kur është në gjëndje të vështirë, ai duhet të bëjë shumë Dua gjatë kohës kur ai gëzon lehtësi dhe rehati." Gjithashtu ka thënë: "Ai person i cili nuk i lutet Allahut, Allahu zemërohet me të"

 
  Today, there have been 70 visitors (94 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free