nehatbe
  *Nata e Kadrit*
 
Çdo ditë që falemi, solemnisht i themi apo i deklarojmë Allahut të Lartmadhërishëm: “Ijjake na’budu - Vetëm Ty të adhurojmë”.
Kur besimtari i mençur dhe i bindur e kupton mënyrën e jetës, e shfrytëzon atë në adhurim, përfshirë këtu edhe lutjet, ai e di këtë, duke rikujtuar fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) se: “Duaja është adhurim” (Shënon Tirmidhiu dhe Ebu Davudi).
Allahu i Lartmadhërishëm i inkurajon besimtarët që të përfitojnë sa më shumë në kohë të caktuara gjatë vitit për të bërë dua. Një rast i tillë është edhe gjatë Ramazanit, e veçanërisht në Natën e Kadrit (natën e vlerës, e fuqisë).
Në këtë natë, gjëja e vetme e rëndësishme në historinë e njerëzimit, është zbritja e Kur’anit Famëlartë nga Lehvi Mahvudh (Pllaka e Mbrojtur) përmes melekut Xhibril (Paqja qoftë mbi të!), i cili e zbriti atë në qiellin e kësaj bote, nën urdhrin e Allahut të Lartmadhërishëm, e pastaj për te Pejgamberi i Tij (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), Allahu i Lartmadhërishëm thotë:
“E ku e dini ju se ç’është Nata e Kadrit?” (Kadr, 2).
Po ashtu “Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit ka bërë më shumë adhurim se sa netëve të tjera.” (Shënon Muslimi).
Nata e Kadrit ka vlerë të madhe dhe të veçantë, për këtë Allahu i Lartmadhërishëm një kaptinë të tërë të Kur’anit e ka emërtuar me këtë emër, “Kadr”, e vlera e saj është:
“Nata e Kadrit është më e vlefshme se sa njëmijë muaj.” (Kadr, 3).
Kjo natë e kalon vlerën e 30.000 netëve. Kjo natë është në dhjetë ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, në netët tek të tij. Fakti që, nata e saktë nuk dihet, reflekton dëshirën e Allahut për ta mbajtur atë të fshehur. Në të vërtetë, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) në një farë mënyre është parandaluar të na e tregojë natën e saktë. Një ditë, ai doli jashtë për t’ua treguar shokëve të tij natën e saktë. Ai në rrugë pa dy njerëz duke u rrahur, kështu që me dëshirën e Allahut, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) harroi (ose u bë të harrojë) të na e thotë datën e saktë, por e kishte mbajtur mend përafërsisht se kur është Nata e Kadrit. Pastaj, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) është udhëzuar që të mos e publikojë këtë informacion.
“Po të më lejohej” - tha një herë Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) - “Do t’u tregoja për ditën e saktë.” (Shënon Ahmedi).
I Gjithëfuqishmi e mbajti këtë urtësi të fshehur për ne, për shumë arsye (Allahu e di më së miri). Ndoshta Ai do që ne të përpiqemi sa më shumë të bëjmë adhurim në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, në mënyrë që ne të mos bëhemi përtacë, e të bëjmë adhurim vetëm në një natë të vetme, e t’ia mohojmë vetes që të bëjmë adhurime edhe në netët tjera.
“Sikur njerëzit mos ta linin namazin vetëm për atë natë, do t’i informoja (për ditën e saktë të saj).” (Shënon Taberani).
Besimtari i sinqertë, i cili brengoset ditën dhe natën për mëkatet dhe periudhat e neglizhencës në jetën e tij, me padurim e pret muajin e Ramazanit. Gjatë këtij muaji ai shpreson që të falet nga Allahu i Lartmadhërishëm për mëkatet që i ka bërë në të kaluarën e tij, duke ditur që Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka premtuar që të gjithë ata, të cilët gjatë dhjetë ditëve të fundit të këtij muaji përpiqen në adhurim, do t’u falen mëkatet. E besimtari, për të arritur këtë, i kujton këshillat e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) duke i shprehur me shprehje të ndryshme si: “kërkoje”, “gjurmoje”, “lype” dhe “kërkoje fuqishëm” Natën e Kadrit.
Megjithatë, Allahu i Lartmadhërishëm dhe Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) na i kanë treguar disa shenja për këtë ngjarje. Allahu i Lartmadhërishëm na e përshkruan si “Paqe deri në agim.” (Kadr, 5).
Në thënie të ndryshme, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e ka përshkruar këtë natë si të qartë, të qetë dhe të patrazuar. Dielli në lindjen e tij do të paraqitet pak më i kuq dhe pa flakërimin e tij normal dhe pa rrezet e tij të forta. Ubejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në mëngjesin e Natës së Kadrit dielli do të lind pa rreze; (është sikur) një pellg ujor derisa të ngritet.” (Shënon Muslimi).
Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ne e kemi përmendur Natën e Kadrit tek Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: Kush nga ju e kujton, kur hëna ngritet (lind) është sikur si një gjysmë rruzulli.” (Shënon Muslimi).
Ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nata e Kadrit është një natë e zemërgjerësisë dhe e lumturisë, nuk është as e nxehtë dhe as e ftohtë. Dielli në mëngjesin e së nesërmes është më i dobët (në shkëlqim), më pak i kuq.” (Shënon Taberani, Ibën Huzejme dhe Bezari).
Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) shtoi se: “Numri i melekëve në atë natë është më i madh se sa numri i guralecëve në tokë.”

Çfarë duhet të bëjë njeriu në dhjetë ditët e fundit për të hasur në Natën e Kadrit?
Një besimtar i devotshëm i Allahut të Lartmadhërishëm i gjallëron këto net me namaz, lexim dhe meditim të Kur’anit. Qëndrimi gjatë, në këmbë, në namaz është e rekomanduar gjatë netëve në të cilat Nata e Kadrit mund të qëllojë. Kjo është treguar e sugjeruar në  shumë hadithe, siç vijojnë:
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ne agjëronim me Pejgamberin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan. Ai nuk na shoqëronte në namaz përderisa vinin shtatë ditët (netët e Ramazanit) e fundit. Atëherë, ai qëndronte me ne (në namaz nate) derisa kalonte pjesa e tretë e natës. Ai nuk falej me ne në natën e gjashtë (duke llogaritur nga fundi). Në natën e pestë, ai falej me ne derisa kalonte gjysma e natës. Kështu që ne i thamë: O Pejgamber i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!)! A nuk do të falesh me ne tërë natën? Ai u përgjigj: “Kushdo që qëndron në namaz me imamin deri sa ai (imami) përfundon namazin, i llogaritet sikur është falur tërë natën”...” (Shënon Ibën Ebu Shejbe, Ebu Davudi, Tirmidhiu (i cili e ka vërtetuar), Nesaiu, Ibën Maxhe, Tahaviu (Sherh Meani el....), Ibën Nasr, Farabiu dhe Bejhekiu. Isnadi (zinxhiri transmetues) i tyre është i vërtetuar).
Ebu Davudi përmend: “E kam dëgjuar që është pyetur Ahmedi: “A është e preferuar për njeriun që të falet bashkë me njerëzit tjerë, apo vetëm gjatë Ramazanit?” Ai u përgjigj: “Falja me njerëzit tjerë”. Gjithashtu e kam dëgjuar duke thënë: “Do të preferoja që falësi i namazit të falet me imamin dhe të fal vitrin me të, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur një njeri falet me imamin derisa ai ta përfundojë namazin, i regjistrohet sikur ka falur namaz tërë natën”.” (Mesail).
Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na ka treguar se Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që qëndron (në namaz) në Natën e Kadrit (dhe është i magjepsur, i shtangur, i koncentruar me këtë natë) me shpresë dhe besim (në shpërblimin e Allahut), do t’i fshihen të gjitha mëkatet e bëra.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Shtesa “dhe është i magjepsur, i shtangur, i koncentruar me këtë natë” është shënuar nga Ahmedi prej fjalëve të Ubade bin Samit; që nënkupton se Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e ka lejuar që të jesh mes adhuruesve të sinqertë gjatë kësaj nate të bekuar.
Besimtari në këtë natë i lutet Allahut të Lartmadhërishëm si kërkues i penduar për faljen e Tij. Besimtari është i inspiruar nga fjala e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!):
“Zoti ynë, më i Larti, zbret në qiellin më të ulët në pjesën e tretë të çdo nate dhe lajmëron: Kushdo që lutet, do t’i përgjigjem. Kushdo që kërkon (diçka për hallall) do t’ia jap. Dhe kushdo që kërkon falje, do ta fal.” (Shënon Buhariu).
Besimtari, i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për Allahun e Lartmadhërishëm dhe mëkatet që i ka bërë, do të vazhdojë t’i lutet dhe të kërkojë prej Allahut të Lartmadhërishëm, brenda dhe jashtë namazit, gjatë përuljes së tij.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) raporton se ajo e ka pyetur Pejgamberin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguar i Allahut! Po ta dija se kur është Nata e Kadrit, çfarë do të duhej të bëja?” Ai e këshilloi atë që të thotë: “All-llahumme inneke afuvvun tuhibbul afve fa’fu anna - O Zot! Ti je falës dhe e do faljen. Pra falmë o Allah!” (Shënon Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu).
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e shtrëngonte Izar-in (d.m.th. ai qëndronte larg grave të tij në mënyrë që të ketë më shumë kohë për adhurim), e kalonte tërë natën zgjuar (në namaz), dhe e zgjonte familjen e tij.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Për besimtarin, në Natën e Kadrit, interesimi i vetëm do të jetë pastrimi nga shkujdesja që kjo jetë e ka shkaktuar në zemrën e tij, mëkatet që i janë grumbulluar, errësira e zemrës, gjëra këto që e bëjë atë që të mos jetë i ndjeshëm në bindje dhe nënshtrim ndaj Allahut të Lartmadhërishëm. Në këtë natë, ai lutet Allahut të Lartmadhërishëm që ta ruajë dhe ta mbajë larg të këqijave të kësaj bote, dënimit të varrit, dhe torturimeve të xhehenemit. Ai kërkon prej Allahut që ta bëjë prej robërve të durueshëm e të palëkundur në përpjekjet për të mbajtur Islamin në këtë botë, dhe kërkon prej Tij që t’ia mbikëqyrë të metat e tij, periudhat e përtacisë dhe neglizhencës. Adhurimi i sinqertë në atë natë do ta bëjë që besimtari të harrojë kohën, derisa ai të befasohet nga ezani i sabahut. Pas sabahut, dielli lëviz ngadalë mbi horizont, i kuqërremtë, dhe i dobët në paraqitje, pa ndonjë rreze, përpjekja në atë natë është e merituar tërësisht. Besimtari gëzohet, duke e ditur që nata që e ka kaluar në adhurim ka pasur mundësi që të jetë Nata e Kadrit dhe:
“Kushdo që falet (në namaz dhe duke e përkujtuar Allahun e Lartmadhërishëm) në Natën e Kadrit duke besuar tërësisht (në premtimin e Allahut të Lartmadhërishëm për shpërblimin e kësaj nate) dhe shpresuar për të marrë shpërblimin (vetëm prej Allahut të Lartmadhërishëm e jo prej njerëzve), ai do të falet për gjynahet e kaluara.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Nata e Kadrit gjithashtu është nata kur caktohen të gjitha punët për vitin që vjen. Allahu i Lartmadhërishëm thotë:
“Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota!). Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne...” (Duhanë, 2-5).
 
  Today, there have been 59 visitors (121 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free